Administratori i Përgjithshëm i Konfindustrisë, Gjergj Buxhuku, ka denoncuar sot dy problemet themelore të Bordit të Transparencës për çmimet e karburanteve, duke nënvizuar se sot produkti “naftë” duhet të ishte të paktën nën nivelin 200 lekë/litër, nga 209 lekë/litër që e ka vendosur Bordi.

Së dyti, sipas tij anëtarët e këtij bordi janë në konflikt interesi, pasi së paku gjysma e tyre janë përfaqësues të subjekteve që duhet të jenë vetë objekt kontrolli.

Deklarata e Konfindustrisë:

Konfindustria shpreh shqetësimin e përsëritur për mënyrën e vendim-marrjeve të Bordit të Karburanteve, qartësisht në kundërshtim me interesin publik me çmimet më të larta në rajon dhe kahjet e dukshme rënëse të tregjeve botërore.

Çmimet e larta krahasimore dhe absolute të karburanteve janë me pasoja afatgjata shkatërrimtare për biznesin, qytetarët, ekonominë kombëtare, si dhe nxisin kontrabandën masive, që mund të shkojë në mbi 300 milion euro/vit.

Shembull i qartë për sa më sipër janë vendim-marrjet e javës së parë të muajit dhjetor 2022. Duke vlerësuar krahasimisht çmimet e tregjeve botërore me periudhën e fillimvitit, sot produkti “naftë” duhet të ishte të paktën nën nivelin 200 lekë/litër, nga 209 lekë/litër të vendosur nga Bordi.

Bien në sy vendim-marrjet e menjëhershme të Bordit në rast të rritjes së çmimeve të karburanteve në tregjet botërore dhe tejzgjatja në kohë në rastin e rënies.

Gjithashtu, rritjet e çmimeve në vlerë absolute janë shumë më të forta, sesa uljet përkatëse.

Konkretisht, në vendim-marrjet e fundit brenda dy ditësh, Bordi e rriti fillimisht çmimin e “naftës” me 8 lekë/litër dhe e uli me 5 lekë/ litër, me rritje përfundimtare me 3 lekë/litër.

Ndërkohë, çmimet e tregjeve botërore dhe rajonale janë në ulje të qartë.

Konfindustria ka kërkuar themelimin e Entit Rregullator të Karburanteve në varësi të Kuvendit të Shqipërisë dhe me përbërje të profesionistëve, – theksohet në përfundim. – . Bordi i Karburanteve ka në përbërje anëtarë me konflikt të qartë interesi. Gjysma e anëtarëve vendim-marrës janë pikërisht përfaqësues të subjekteve, që duhet të jene objekt kontrolli.”

Loading

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *