Kryetari i Partisë së Lirisë, Ilir Meta ka sulmuar dje ashpër kryeministrin Edi Rama, ndërsa pohoi se nesër, pra sot, në shesh do jetë populli i Shqipërisë. Meta në një deklaratë për mediat theksoi se do të flasë populli dhe të gjithë duhet t’i binden atij.“Jam i bindur se populli do të jetë nesër në shesh për të kërkuar llogari.
Edi Rama më mirë se kushdo tjetër e ka shumë të qartë se llogaridhënies nuk i shmanget pasi populli i Shqipërisë nuk do të lejojë askënd të luajë me fatet e tij. Fshehja e dëshperuar e Edi Ramës me javë të tëra dhe shmangja e llogaridhënies dhe transparencës përpara parlamentit me shpresën e mjerë se mund të kalojë situatën janë thjesht një iluzion i një të mbyturi që kapet pas fijes së barit.
Populli është vetëm ai që jep pushtet por edhe ja heq pushtetin atij, që e përdor vetëm për të grabitur paratë e popullit dhe për të shitur interesat e tij. Populli i Shqipërisë jam i bindur se e ka marrë vendimin.
Ai s’mund të lejojë kurrë që Edi Rama të vazhdojë të trajtojë zyrën e kryeministrit si një çerdhe mafioze ku ndahen paratë dhe pasuritë kombëtare të shqiptarëve. Populli s’mund të lejojë kurrë që zyra e kryeministrit të përdoret për korrupsion politik dhe financiar pa fre, në vend që duhet t’i jepte zgjidhje shqiptarëve për të luftuar varfërinë dhe papunësinë”, tha ai. Meta deklaroi se populli ka vendosur që Edi Rama të largohet një orë e më parë si një mafioz tashmë i provuar.
“Populli s’mund të lejojë kurrë që zyra e kryeministrit të prodhojë vetëm mjerim, që shpopullon vendin duke larguar qindra mijëra shqiptarë dhe veçanërisht të rinjtë nga atdheu i tyre. Populli ka vendosur që Edi Rama të largohet një orë e më parë si një mafioz tashmë i provuar edhe botërisht me fakte dhe si një i korruptuar që s’ka asnjë lidhje me postin dhe institucionin kushtetues të kryeministrit. Edi Rama është tashmë vetëm një subjekt i merituar për drejtësinë për veprimet e tij shumë të rënda kundër kushtetutës, pluralizmit dhe demokracisë si dhe për grabitjen masive financiare me miliarda euro.
Edi Rama është sot i provuar me fakte si korruptuesi i Mc Gonigal, si grabitësi i qindra milionë euro me inceneratorët, i miliarda eurove tek Porti i Durrësit, tek koncesionet, tek qindra tenderat sekretë, si shkatërruesi i Teatrit dhe si koka e qindra aferave me energjinë elektrike, ujesjellsësat, tjetërsimin e pronave të qytetarëve shqiptarë dhe gjithçka.